Kapiteni i përfaqësueses gjermane të futbollit, Filip Lahm, ka pranuar se ëndërron që të jetë ai që ngre lart Kupën e Botës në vitin 2014, por ka theksuar se është shumë e rëndësishme që para fantazisë, duhet bërë realitet kualifikimi në këtë turne. Kombëtarja gjermane aktualisht gjendet në kreun e Grupit C me 10 pikë në 4 ndeshje, duke mbajtur tre pikë avantazh ndaj Suedisë, edhe pse kjo e fundit ka luajtur një ndeshje më pak. Por Lahmn insiston se të gjitha gjërat duhen marrë me radhë.
“Duke parë historinë dhe cilësinë e skuadrës aktuale, nuk mund të shkojmë në një turne madhor pa ambicien për ta fituar atë. Kur je sportist profesionist, je gjithmonë ambicioz, dëshiron të fitosh sa më shumë trofe që të jetë e mundur”.
“Sigurisht që unë kam ëndërr të fitoj Kupën e Botës, por duhet të përqendrohemi në objektivat që kemi para dhe fillimisht duhet t’i arrijmë ata. Objektivi ynë është të përgatitemi sa më mirë të mundemi për Kupën e Botës. Objektivi i radhës është të kalojmë fazën në grup. Hap pas hapi, një ëndërr mund të jetë rezultati i shumë objektivave, ku ai i radhës është gjithmonë e më i rëndësishëm”, shpjegoi kapiteni i përfaqësueses gjermane. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 19 March 2013 18:13