Humbja 3-0 përballë Milanit është shoqëruar nga polemika të shumta rreth gjykimit të kësaj ndeshje nga ana e Lacios, pasi kryeqytetasit mendojnë se arbitrimi ka qenë krejtësisht në favor të kuqezinjve.
“Do të më pëlqente ta luanim ndeshjen 11 kundër 11. Sigurisht, ishim në vështirësi edhe ashtu, por të gjitha episodet vendimtare si kartoni i kuq apo edhe goli ishin në favor të Milanit. Këtu nuk bëhet fjalë për të diskutuar nëse faulli ishte brenda apo jashtë zonës, por nëse ishte karton i kuq apo jo”, ishte komenti i trajnerit Petkoviç pas ndeshjes.
“Para kartonit të kuq, kjo ishte një ndeshje që ne u munduam të luanim duke sulmuar kundërshtarin. Por të vjen keq që shkoi kështu, sidomos me dy golat e parë, ku te i pari ekzistonte një faull i qartë i El Sharaui ndaj Pereirinja”, vijoi trajneri i Lacios.
Të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe Igli Tare, i cili mendon se tani gjyqtarët po veprojnë kundër Lacios në mënyrë të vazhdueshme.
“Duhet t’i bëjmë komplimente Milanit por gabimet e gjyqtarëve ishin të shumta. Ne jemi penalizuar pasi në golin e 1-0 ka një faull të dukshëm të El Sharaui ndaj Pereirinja. Pastaj Kandreva u largua me karton të kuq se ndali një aksion për gol, por kishte dy lojtarë të tjerë të Lacios pas vijës së topit, ndaj duhej dhënë vetëm karton i verdhë. Kemi humbur një ndeshje të rëndësishme në Firence për episode që na janë dhënë kundër dhe përsëri në një ndeshje vendimtare ndëshkohemi dhe penalizohemi nga gjyqtarët”, ishte shpërthimi i drejtorit sportiv të bardhekaltërve. (LajmeShqip.com)
Sunday, 03 March 2013 13:52