Lacio ka bërë një lëvizje të çuditshme në merkato, duke nënshkruar me sulmuesin francez Luis Saha, por pa qenë ende në dijeni të faktit nëse mund ta aktivizojë apo jo lojtarin.
Kryeqytetasit kanë bërë të ditur se kanë nënshkruar një kontratë prej 500 mijë eurosh me futbollistin deri në fund të këtij sezoni, pasi ai ka prishur me marrëveshje dypalëshe kontratën e tij me Sandërlend. Por kjo çështje kërkon lejen e FIFA-s, pasi marrëveshja mes francezit dhe klubit italian është kryer pas përfundimit të merkatos së janarit.
Edhe pse ai është një lojtar i lirë, rregullorja e FIFA-s parashikon që pas 31 janarit, në rastin e Italisë, deri në 31 mars, mund të nënshkruajë me klubet ato lojtarë të cilët nuk kanë asnjë detyrim kontraktual.
Por Saha ka pasur një kontratë të vlefshme me Sandërlend e ndonëse e ka ndërprerë atë, cilësohet sikur ai ishte një futbollist me një detyrim kontraktual për këtë vit.
Gjithçka është përfshirë nga kaosi, me skuadrën italiane që planifikoi prezantimin e lojtarit, ndërsa më pas bëri të ditur se do të kërkonte sqarim nga FIFA, duke shpresuar që të marrë një përgjigje pozitive për sulmuesin që pritet të zëvendësojë të dëmtuarin Miroslav Klose në formacionin e Petkoviç. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 06 February 2013 16:38