Laçi dhe Bylisi kanë bërë çudinë sot duke arritur të shkojnë në finalen e Kupës së Shqipërisë, duke u konfirmuar si dy skuadra mëse cilësore në futbollin shqiptar. Laçianët kanë kaluar në gjysmëfinale një tjetër surprizë, Kukësin, ndërsa Bylis u ka bërë “gjëmën” kampionëve të Shqipërisë, Skënderbeut, duke kaluar atë që cilësohet si skuadra më e fortë e futbollit në vendin tonë në vitet e fundit.
Pas barazimit 0-0 në sfidën e parë mes Laçit dhe Kukësit në fushën e këtyre të fundit, kurbinasit kanë bërë gjithçka mirë në ndeshjen para tifozerisë së tyre. Nimani kaloi në avantazh vendasit në minutën e 33-të, pas një pjese të parë të zhvilluar në sulm. Por një gol i Peqinit në fillimin e pjesës së dytë prish planet e laçianëve, të cilët me barazimin 1-1 e shohin veten jashtë Kupës. Megjithatë, gjithçka zgjidhet nga gjuajtja e mbrojtësit Emiliano Çela, i dalë në ndihmë të sulmit në minutën e 78-të, pasi goli i tij i jep suksesin 2-1 dhe kalimin në finale skuadrës së drejtuar nga Stavri Nica.
Edhe më dramatike ka qenë ndeshja në Ballsh e Bylisit vendas me Skënderbeun, pasi takimi i parë në Korçë kishte përfunduar në barazim 1-1. Korçarët kanë krijuar disa raste për të shënuar por Frashëri ka neutralizuar çdo gjuajtje drejt portës së tij. Për të zgjidhur ndeshjen është dashur një goditje spektakolare dënimi i Julian Gërxhos në minutën e 53-të, ndërsa më pas vendasit janë mbledhur në mbrojtje dhe kanë rezistuar deri në vërshëllimën përfundimtare përballë sulmeve të kundërshtarëve, për t’iu gëzuar më pas faktit se janë shumë pranë një trofeu historik për klubin. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 17 April 2013 18:57