LA Galaksi do t’i ofrojë Frenk Lampard të njëjtën paketë rroge si Devid Bekam, duke tentuar që të afrojë yllin anglez në kampionatin amerikan. Mesfushori anglez mund të fitojë 6.5 milion dollarë në vit, plus një tjetër milion dollarë nga shitjet e mundshme të fanellave të tij.
“Klubi mendon se Frenk mund të plotësojë vendin e lënë bosh nga Bekam duke u kthyer në fytyrën e re të klubit”, tha një burim pranë LA Galaksi.
34 vjeçari po mendon lëvizjen e radhës në karrierën e tij, pasi Çelsi i bëri të njohur pak ditë më parë vendimin që të mos rinovojë me të dhe i ka kërkuar që mundësisht të gjejë që në janar skuadrën e re.
Nëse futbollisti pranon kontratën që i ofron klubi amerikan, ai mund të bëhet lojtari më i paguar i kampionatit amerikan. Aktualisht, lojtari më i paguar, është irlandezi Robi Kin, i cili përfiton 3.5 milion dollarë në vit. Edhe ky lojtar është pjesë e LA Galaksi. Lojtari i dytë më i paguar është një tjetër “prodhim” i kampionatit anglez, sulmuesi Tierri Henri, i cili përfiton diçka më pak se 3.4 milion dollarë në vit te Nju Jork Red Bulls. (LajmeShqip.com)
Sunday, 30 December 2012 12:30