Gazeta franceze “L’Equipe” ka publikuar sot lajmin se mes PSZH dhe Rikardo Kaka është gjetur akordi, ndërsa brenda ditëve të ardhme pritet firma e futbollistit. Nuk bëhen të ditura ende detajet ekonomike të marrëveshjes, por mësohet se ka qenë vetë trajneri Ançeloti me drejtorin sportiv Leonardo që kanë bindur brazilianin të largohet nga Reali i Madridit.
PSZH nuk ndalet këtu, pas synon të kthehet shumë shpejt në superfuqi jo vetëm në futbollin francez, por në Evropë. Ndaj marrëveshja me Kaka është vetëm maja e ajsbergut për afrimet që klubi parisien ka planifikuar për merkaton e verës. “Qatar Investment Authority”, pronarët e klubit, kanë bërë të ditur se janë gati të shpenzojnë çdo shumë të nevojshme për të transformuar këtë skuadër në një superfuqi, e për këtë arsye po tentojnë të afrojnë disa emra të tjerë të njohur.
Sipas “L’Equipe”, shumë shpejt skuadrës do t’i bashkohet edhe argjentinasi i Napolit, Ezekuiel Laveci, të cilit i është ofruar një kontratë prej 5 milionë eurosh në vit. Përkrah tij, në repartin e avancuar mund të luajë edhe Sebastian Xhovinko, ylli i Parmës dhe kombëtares italiane, kartoni i të cilit zotërohet përgjysmë nga Juventusi.
Me këto blerje, PSZH do të krijonte një pesëshe të frikshme në repartin e avancuar, pasi në skuadër ka edhe dy talente të tjerë të jashtëzakonshëm, Havier Pastore dhe Zheremi Menez.
Ndërkohë, përforcime do të ketë edhe në repartin e mbrojtjes, ku synimi i klubit është blerja e Dani Alvesh nga Barcelona, një lojtar i cili duket se nuk bën më pjesë në planet e katalanasve në sezonin e ardhshëm. (LajmeShqip.com)
Friday, 18 May 2012 14:10