Tiranë – Kombëtarja shqiptare e futbollit ka pasur shansin e artë për të luajtur një miqësore luksi me një prej skuadrave më të mira të planetit, Argjentinën e yllit të Barcelonës, Lionel Messi, por trajneri kroat Josip Kuzhe ka anuluar gjithçka.
Sipas burimeve nga Federata Shqiptare e Futbollit, miqësorja që duhej të zhvillohej më datën 3 qershor ndaj Argjentinës, ishte ndërmjetësuar nga një agjenci private e organizimit të ndeshjeve ndërkombëtare. Takimi duhej të zhvillohej në një fushë asnjanëse dhe të gjitha shpenzimet për udhëtimin e Kombëtares shqiptare mbuloheshin nga kjo agjenci. Flitej për një shumë rreth 90 mijë euro, të cilën do ta përfitonte FSHF, për të mbuluar shpenzimet e takimit miqësor.
Por, ishte trajneri Kuzhe, ai që, sipas FSHF-së, ka anuluar gjithçka për shkak se pas 4 ditësh Shqipëria ka në kalendar ndeshjen e vlefshme për Euro 2012, ndaj Bosnjës në Sarajevë dhe tekniku nuk ka dashur të rrezikojë formën e lojtarëve përpara kësaj sfide mjaft të rëndësishme.
Një sfidë që gjithsesi deri tani mund të mos zhvillohet fare, duke pasur parasysh që Federata e Bosnjës është e pezulluar nga UEFA dhe FIFA si pasojë e mosmarrëveshjeve të brendshme që ka kjo federatë për zgjedhjen e kreut të saj.
Gjithsesi Kuzhe nuk ka pranuar këtë miqësore, duke besuar tek një falje e UEFA-s dhe FIFA-s ndaj Bosnjës në ditët në vijim. Nga FSHF mësohet se FSHF ka refuzuar edhe një miqësore luksi ndaj Meksikës, ekip me të cilin kemi luajtur në vitin 2002 një miqësore në San Diego, të humbur 4-0.
Saturday, 23 April 2011 10:47