Durrës – Trajneri i ekipit tonë përfaqësues, kroati Josip Kuzhe, bëri të ditur formacionin me të cilin do të paraqitet ekipi ynë kombëtar i futbollit në ndeshjen ndaj Bjellorusisë, të shtunën, në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”, në kuadrin e eliminatoreve të kampionatit evropian 2012, që do të zhvillohet në Poloni e Ukrainë.
Ujkani, Cana, Teli, Lila, Vangjeli, Lala, Bulku, Skela, Agolli, Salihi dhe Bogdani do të nisin lojën që nga minuta e parë nesër në stadiumin “Qemal Stafa”. Trajneri Kuzhe tha se strategjia e lojës do të zgjidhet në varësi të kundërshtarit.
Ne do të luajmë me sistemin 4-4-2, vazhdoi më tej Kuzhe, sipas të cilit, rezultati i kësaj ndeshjeje do të përcaktojë shumë edhe të ardhmen e ekipit kombëtar. “Një fitore na bën të luftojmë për vendin e dytë në grup, ndërsa një rezultat negativ shtron nevojën e ristrukturimit të ekipit”, nënvizoi Kuzhe.
Në konferencën e sotme për shtyp, mesfushori Ervin Skela e vlerësoi si shumë të rëndësishëm takimin e nesërm. “Bjellorusia është një ekip i vështirë, por ne kemi punuar si një grup dhe kemi besim në rezultatin pozitiv”, komentoi Skela.
“Takimi që kemi zhvilluar në Minsk ka qenë një nga më të dobtit e përfaqësueses sonë”, tha Lala, i cili do të luajë nesër ndeshjen e 74-t me fanelën e ekipit tonë kombëtar.
Ndërkaq në konferencë është bërë e ditur se FSHF është gjobitur me 40 mijë euro për hedhjen e sendeve dhe fishekzjarreve në fushë gjatë ndeshjes së zhvilluar me ekipin e Bosnje Hercegovinës.
Friday, 25 March 2011 19:38