Filip Kutinjo bëhet gati për lamtumirën nga Interi, pasi është shumë pranë transferimit te skuadra e Liverpulit. Konfirmimi, ndonëse jo zyrtar, ka ardhur nëpërmjet pranimit të trajnerit të zikaltërve, Andrea Stramaçioni, i cili ka theksuar se transferime të tilla shërbenin për të siguruar lojtarë edhe më të fortë.
“Çdo largim i dhimbshëm, sipas këndvështrimit tim, është i lidhur me mbërritje të reja që mund të përmirësojnë Interin”, tha ai, duke iu referuar faktit tashmë të ditur se me paratë e siguruar nga Kutinjo, do të tentohet blerja e një tjetër braziliani, mesfushorit Paulinjo.
Përfaqësues të Liverpulit priten gjatë këtyre dy ditëve në Milano për të mbyllur përfundimisht transferimin, duke i paguar zikaltërve 10 milion euro, me 3 milion euro të tjera në formë bonusi në bazë të arritjeve të skuadrës dhe paraqitjeve të lojtarit.
Njëkohësisht, Marko Branka ka udhëtuar drejt Brazilit për të siguruar firmën e Paulinjo, i cili kushton rreth 15 milion euro. Nëse Korinthians jep “OK” për transferimin e lojtarit që sot, nesër Kutinjo kryen vizitat mjekësore dhe fluturon menjëherë drejt Anglisë për t’iu bashkuar skuadrës së re.
Ndonëse Interi nuk do të kishte dashur të largonte Kutinjo, është detyruar ta bëjë një gjë të tillë pasi askush nuk ofron shuma të konsiderueshme për Alvarez e Livaja, dy lojtarët që priteshin të sakrifikoheshin për të afruar Paulinjon. (LajmeShqip.com)
Sunday, 27 January 2013 09:53