Tirana e Skënderbeu kanë hedhur një tjetër hap të sigurt drejt pjesëmarrjes në gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë, pas ndeshjeve të treta në grupet çerekfinale.
Tirana ka mundur 2-1 Kamzën në fushën e këtyre të fundit në atë që tashmë cilësohet një “derbi” i elitës së futbollit shqiptar. Ndonëse vendasit kanë kaluar të parët në avantazh me Manukën, golat e Likës dhe Morinës në 10 minutat e fundit të takimit i sollën një sukses të rëndësishëm bardhebluve që ngjiten në kuotën e 7 pikëve pas 3 ndeshjeve.
Në takimin tjetër të këtij grupi, Kastrioti ka mundur 4-2 Bylisin. Turdiu ka shënuar dy gola në pjesën e parë , ndërsa në pjesën e dytë kanë qenë Xhihani dhe Agolli që kanë shënuar për krutanët. Golat për ekipin mik u shënuan nga Huan dhe Abazaj. Fitorja çon në kuotën e 4 pikëve Kastriotin që mban vendin e dytë në grup dhe pretendon të kualifikohet para Bylisit e Kamzës që kanë nga 2 pikë.
Në grupin B çerekfinal, Skënderbeu ka marrë një pikë të artë në Shkodër përballë Vllaznisë vendase në një takim të luftuar që nga minuta e parë deri në të fundit, por që ka përfunduar me rrjeta të paprekura. Gjithsesi, ngjarja më e shënuar në këtë ndeshje është topi i borës me të cilin është goditur trajneri i korçarëve, Stanislav Levi, pas përfundimit të sfidës.
Në ndeshjen tjetër të këtij grupi, Laçi dhe Flamurtari kanë ndarë nga një pikë në barazimin 0-0. Falë këtyre rezultateve, Skënderbeu ngjitet në kuotën e 7 pikëve, ndërsa ndiqet nga Vllaznia me 4 pikë. Flamurtari dhe Laçi tani kanë vetëm 1 pikë por mbeten ende në garë për kalimin e turit. (LajmeShqip.com)
Thursday, 23 February 2012 20:26