Kupa FA, aktiviteti më masiv futbollistik në Angli, ka dhuruar surpriza të mëdha që në raundin e tretë, duke parë eliminimin e emrave të mëdhenj përballe ekipeve modeste.
“Viktima” e parë ka qenë Njukasëll, që është dorëzuar përballë Brajton&Hove me rezultatin 2-0. Por çuditërisht, ky rezultat është cilësuar mes më të pritshëmve të kësaj dite, pasi edhe vetë kompanitë e basteve angleze sugjeronin për një fitore të ekipit të kategorisë së dytë angleze.
Dy surpriza të rëndësishme janë eliminimi i Kardif dhe Ulvërhempton, respektivisht nga Maklesfild dhe Luton, të cilat nuk gjenden mes kategorive profesioniste në Angli dhe padyshim kanë regjistruar rezultate historike përballë ekipeve të kategorisë së dytë angleze, të cilat për më tepër pretendojnë edhe të ngjiten në elitën e futbollit britanik.
Gjithçka ka shkuar mirë për Çelsin, që ka mundur me rezultatin 5-1 Sauthempton në fushën e kësaj të fundit, me debutuesin Demba Ba që ka përshëndetur mbërritjen e tij në këtë klub me dy gola. Në listën e golashënuesve ka përfunduar edhe Frenk Lampard, që u bë në këtë mënyrë golashënuesi i dytë më i mirë në historinë e londinezëve.
Kualifikim i lehtë edhe për Mançester Sitin, që ka mundur 3-0 Uotford dhe ka kaluar në turin tjetër. Ajo që duhet theksuar në këtë sfidë është se Mario Baloteli është aktivizuar në pjesën e dytë të ndeshjes dhe për më tepër, dukej se gjithçka mes tij dhe trajnerit Mançini ishte sqaruar, pasi ata shkëmbyen disa batuta duke qeshur me njëri-tjetrin.
Ndërkohë, do të jenë edhe disa ndeshje që do të përsëriten pasi skuadra të vogla kanë arritur të marrin barazime të rëndësishme si ato Bournimauth me Uigan dhe Blekpul me Fullhem. (LajmeShqip.com)
KUPA FA
Raundi i tretë
Brajton&Hove-Njukasëll 2-0
Kristal Palas-Stouk 0-0
Totenhem-Koventri 3-0
Uigan-Bournimauth 1-1
Fullhem-Blekpul 1-1
Aston Vila-Ipsuiç 2-1
Çarlton-Hadërsfild 0-1
Maklesfild-Kardif 2-1
Barnsli-Bërnli 1-0
Mançester Siti-Uotford 3-0
Leicester-Barton 2-0
Milluoll-Preston 1-0
Derbi Kaunti-Tranmere 5-0
Krouli-Riding 1-3
Aldershot-Rotherham 3-1
Midëllsbrou-Hastings 4-1
Oksford-Shefild U. 0-3
Sauthempton-Çelsi 1-5
QPR-Uest Bromuiç 1-1
Peterborou-Noruiç 0-3
Bolton-Sandërlend 2-2
Notingam Forest-Oldham 2-3
Hall-Leiton Orient 1-1
Bllekbërn-Bristol 2-0
Lids-Birmingem 1-1
Sauthend-Brentford 2-2
Luton-Ulvërhempton 1-0
Shefild Ued.-Milton 0-0
Uest Hem-Mançester Junajtid 2-2
Saturday, 05 January 2013 18:47