Swansea City do të mundohet ta sigurojë një vend në Premierligë, duke u përkrahur nga lojtari i 12-të, Besian Idrizaj. I tërë qyteti do ta kujtojë të hënën ish-sulmuesin kosovar, i cili ndërroi jetë një vit më parë.
Në Liberty Stadium, në ndeshje me Nottingham Forest, e vlefshme për gjysmëfinalen e play-offit, do të kujtohet Idrizaj, i cili ndërroi jetë teksa po flinte në shtëpinë e tij në Austri, pas një sulmi në zemër, në moshën 22-vjeçare.
Tifozët pritet të vendosin mbishkrime dhe parulla të shumta në shenjë kujtimi për ish-futbollistin e Liverpoolit. Swansea e nisi këtë sezon në Championship në memorie të futbollistit të ri kosovar.
Tash ky ekip synon një sukses të jashtëzakonshëm inkuadrimin në Premier ligë. Portieri Dorus de Vries insiston se te Swansea nuk do të harrohet kurrë shoku dhe ish-kolegu Idrizaj. Holandezi thotë se shpirti i ish-futbollistit kosovar është ende me Swansin, teksa ata po mundohen që të inkuadrohen në elitën e futbollit gjerman në nderim të tij.
“Shumë nga ne flasim ende për të. Ai është ende në mendjet tona. Ai ishte një koleg i shkëlqyer, bashkëlojtar i mirë, por gjithashtu ishte shok i mirë, kështu që nuk është e lehtë ta harrosh. Ne si grup vendosëm që ky vit të jetë për të dhe shpresojmë që po e bëjmë atë të mburret me këtë sezon”, tha Vries për faqen walesonline.
“Nganjëherë, ai është këtu në mendjet tona, me ne, dhe nganjëherë pas lojës themi: Hej, kjo fitore është për ty. Fatkeqësisht, ai nuk është këtu tash që t’i shijojë këto momente me ne. Ai e kishte kualitetin të ishte pjesë e jona, por ai është këtu në mendjet tona dhe do të ishte një gjë e madhe që të ngritemi në Premierligë për të”, vazhdoi ai.
Swansea u bashkua si klub në nderim të Idrizajt, në kampanjën Liberty kundër Prestonit në muajin gusht. Gjithashtu, skuadra U21 e Austrisë e pushoi numrin që e mbante i ndjeri, ndërsa një minutë heshtje u mbajt për nder të tij në fillim të këtij sezoni.
Monday, 16 May 2011 14:18