Ish-trajneri i Real Madrid dhe kombëtares së Portugalisë, Karlos Kueiroz, ka treguar hapur admirimin e tij për Kristiano Ronaldon dhe Lionel Mesin. Trajneri që drejtoi madrilenët në sezonin 2003-04, mendon se të dy janë padyshim lojtarët më të mirë në botë dhe është një kënaqësi e jashtëzakonshme t’i shohësh duke luajtur në fushë, edhe për trajnerët kundërshtarë të tyre.
“Mesi dhe Ronaldo janë mbretërit e futbollit. Ata janë krejtësisht të kundërt me njëri-tjetrin, por sporti ynë ka nevojë për të dy”, deklaroi Kueiroz në një intervistë për Fifa.com.
“Si trajner, nuk dëshiron kurrë të luash kundër tyre, por kjo nuk të ndalon të ndjesh entuziazëm sa herë që i sheh në fushë, edhe si kundërshtarë”, tha tekniku portugez që analizoi edhe rivalitetin e ndezur mes Realit dhe Barcelonës, të cilat sipas tij janë dy skuadrat më të mira në botë.
“Ata janë dy skuadra radikalisht të ndryshme. Barcelona ka lojtarë të mëdhenj si Mesi, Ksavi e Iniesta, të cilët i kanë mundësuar që të mbledhë shumë trofe në vitet e fundit, për më tepër duke e bërë një gjë të tillë me stil”.
“Por në momentin që Real Madrid zbuloi identitetin e tij, u kthye në gjendje për të dominuar ndaj Barcelonës, falë edhe lojtarëve të shkëlqyer që ka. Mendoj se për momentin ata janë dy skuadrat më të mira në qarkullim”. (LajmeShqip.com)
Monday, 24 September 2012 11:49