Ksabi Alonso nuk ka vonuar të hedhë poshtë mendimet e dhëna një ditë më parë nga kolegu i tij në kombëtaren spanjolle, Ksavi Hernandez, i cili mendon se historia nuk do të kujtohet për “spekuluesin” Zhoze Murinjo.
“Me trajnerin unë e ndjej veten shumë të qetë. Jemi në një sintoni të mirë, flasim për shumë gjëra dhe kur Murinjo nuk do të jetë më, do të shihet mungesa e tij dhe do të ketë një boshllëk të rëndësishëm. Murinjo ka bërë historinë dhe vazhdon ta shkruajë atë, mund të bëjë edhe më shumë. Ja ku është trajektorja e karrierës së tij, e cila flet vetë, nuk ka shumë trajnerë që kanë arritur aq sa ka arritur ai”, shpjegoi mesfushori i madrilenëve që më pas ka folur edhe për një tjetër temë të nxehtë, atë të “spiunëve” në skuadër.
“Ka gjëra që shpesh janë jashtë kontekstit dhe si rrjedhojë prodhojnë polemika të panevojshme”, tha ai, duke iu referuar shpërthimit të Iker Kazijas në faqen e tij të Facebook, ku portieri nuk pranonte që njerëzit ta cilësonin spiun dhe se ai punonte kundër skuadrës duke informuar shtypin.
Në fund, Ksabi Alonso ka folur edhe për situatën në kampionat, ku Reali është që tani në ndjekje të Barcelonës për shkak të 8 pikëve diferencë që ka në renditje ndaj katalanasve.
“Kjo diferencë është e rëndësishme dhe kundërshtari lë shumë pak vend për gabime. Por shpresojmë që ata të humbin pikë rrugës, ndërsa ne të vazhdojmë duke shkurtuar diferencën e krijuar”, theksoi mesfushori spanjoll. (LajmeShqip.com)
Monday, 15 October 2012 15:01