Johan Krujf ka vlerësuar maksimalisht Bajernin e Mynihut dhe mendon se gjigandët gjerman janë shembulli që Ajaks duhet të ndjekë nëse dëshiron të rikthehet i suksesshëm në Evropë. Ish-futbollisti i Holandës bën pjesë në bordin e klubit dhe ka qenë iniciator i ndryshimeve në drejtimin e tij.
“Sipas mendimit tim, Bajerni i Mynihut përfaqëson maksimumin në mënyrën sesi duhet organizuar një klub. Do të doja që të shihja edhe te Ajaksi një gjë të tillë”, tha ai nëpërmjet editorialit të tij javor në gazetën “De Telegraaf”.
“Ne duam të riprodhojmë me Denis Bergkamp dhe Uim Jonk atë që Bajerni ka me Uli Hënes dhe Karl-Kainz Rumenige”.
“Këta njerëz kanë gëzuar shumë suksese gjatë karrierës së tyre dhe ia kanë dalë mbanë edhe financiarisht. Ata nuk kanë nevojë të punojnë për para te Bajerni apo Ajaksi, ata e bëjnë këtë punë se e dashurojnë klubin”, u shpreh Krujf.
Ajaks gjendet në vendin e katërt në kampionatin holandez, 5 pikë larg Alkmar që mban vendin e parë. Ata u eliminuan nga faza e grupeve të Ligës së Kampioneve dhe do të ndeshen me Mançester Junajtid në Ligën e Evropës. (LajmeShqip.com)
Monday, 09 January 2012 15:35