Johan Krujf ka shpjeguar se vendimi i Pep Guardiolës për t’u transferuar në Nju Jork erdhi si motivim për të distancuar veten nga natyra impenjuese e menaxhimit të futbollit.
Ish-mesfushori i “Skuadrës së Ëndrrave” që drejtohej nga Krujf në fillimin e viteve ’90, dha dorëheqjen nga posti i tij si trajner i Barcelonës në fund të sezonit të kaluar, duke i dhënë fund një periudhe shumë të lavdishme në drejtimin e klubit katalanas.
Por Krujf ka treguar se pas një vizite që ka patur në SHBA ku është takuar me Guardiolën, është i bindur se ky ndryshim i plotë ambienti do t’i bëjë mirë këtij të fundit.
“Pep jeton në SHBA tani pasi ka patur 4 vite shumë të vrullshëm si trajner i Barcelonës”, u tha Krujf gazetarëve. “Ai dëshironte të shkëputej pak nga futbolli. Në Nju Jork, ai mund të ecë i qetë në rrugë pa u njohur nga njerëzit dhe ka mundësinë të mendojë rreth të ardhmes së tij”.
“Unë për vete jam shumë i përfshirë në botën e futbollit për momentin dhe ishte diçka e mirë të flisja me dikë si Guardiola. Ai i sheh gjërat shumë qartë dhe shpreh hapur opinionet e tij. Ai e kupton atë që po mundohem të bëj unë te Ajaksi dhe Çivas”, tha ish-trajneri i cili ka rol drejtuesi si te klubi holandez, ashtu edhe te ai i vendlindjes së tij. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 30 October 2012 15:20