Në një periudhë me ulje e ngritje, Majemi ka gjetur personin që i nxjerr nga situata me përvojën e tij. Kris Bosh, emri më pak i përmendur nga treshja e të mëdhenjve të kësaj skuadre, i është kthyer formës së vjetër që e bëri të njohur te Toronto para kalimit të Majemi, duke shënuar me rregullsi për të zgjidhur situatat e vështira të skuadrës së tij. Edhe këtë radhë ai ka qenë vendimtar në fazën ofensive dhe defensive duke regjistruar 29 pikë e 8 topa në tabelë për të udhëhequr ekipin drejt suksesit 99-95 përballë Feniks. Për skuadrën e Floridas kjo ka qenë një nga sfidat më të vështira, duke e gjetur veten në disavantazh të 10 pikëve në periodën e fundit. Por falë lojës së treshes Bosh-Uejd-Xhejms, ata kanë arritur të shënojnë 17 pikë radhazi për të marrë këtë sukses shumë të rëndësishëm për renditjen.
Një rezultat i rëndësishëm i mbrëmjes është humbja e Oklahomas në fushën e Utah. Kevin Durant po kalon një periudhë negative dhe në këtë ndeshje shënoi vetëm 18 pikë, duke realizuar vetëm 6 nga 22 gjuajtjet e tentuara.
LA Klipërs vazhdojnë periudhën me ulje-ngritje ku kombinojnë fitoret bindëse me humbjet zhgënjyese. Këtë radhë, Grifin (23 pikë, 10 topa në tabelë) dhe Pol (16 pikë, 8 pasime) janë ndalur nga Indiana që ka dominuar sidomos falë kontributit të lojtarëve të stolit që shënuan 50 pikë në suksesin 102-89.
Një humbje kanë regjistruar edhe LA Leikërs, ku Kobi Brajant me 29 pikë nuk ka mundur të ndalë Hjuston, një skuadër që është kthyer në pretendente për të marrë pjesë në playoff dhe kohët e fundit ka regjistruar fitore të rëndësishme ndaj ekipeve më të mira në NBA. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
LA Klipërs-Indiana 89-102
Toronto-Nju Jork 87-106
Feniks-Majemi 95-99
LA Leikërs-Hjuston 104-107
Oklahoma-Utah 90-97
Miluoki-Portland 116-87
Memfis-Sakramento 110-119
Wednesday, 21 March 2012 09:04