UEFA dhe FIFA nuk kanë dashur të komentojnë asgjë rreth mundësisë së përfshirjes së Kosovës në kualifikimet e Botërorit “Rusia 2018”. FIFA topin e ka hedhur tek UEFA. Por, kjo e fundit ka refuzuar t’i komentojë pritjet e kosovarëve. Megjithëkëtë, shtëpia e futbollit evropian e ka dhënë një lajm të mirë. Konfirmoi se po e shqyrton aplikacionin e Kosovës për anëtarësim
Kosova nuk u përfshi në shortin për kualifikimet e Kampionatit Botëror “Rusia 2018”, i cili u tërhoq të shtunën në St. Petersburg, pasi Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ende nuk është pranuar në UEFA e FIFA.
Pavarësisht kësaj, shtëpia e futbollit kosovar është shumë e bindur se pas disa muajve edhe Kosova do të futet në ndonjërin prej grupeve kualifikuese. Krerët e FFK-së kanë theksuar dhjetëra herë se në mars vendi ynë do të anëtarësohet në UEFA dhe me automatizëm Kosova do të futet edhe në kualifikime. Për këtë thonë se kanë marrë garanci ndërkombëtare.
Mirëpo, në lidhje me këtë pritshmëri të Kosovës nuk kanë dashur të komentojnë asgjë UEFA dhe FIFA, të kontaktuara nga gazeta “Zëri”.
Organizatorja e Botërorit, FIFA, për këtë çështje topin e ka hedhur tek UEFA, pasi Kosova i takon Konfederatës Evropiane.
“UEFA i ka lëshuar të gjitha detajet rreth eliminatoreve evropiane gjatë fundjavës. Nëse keni pyetje tjera, atëherë ju lutemi drejtohuni në UEFA”, thuhet në një përgjigje që ka marrë “Zëri” nga FIFA e Sepp Blatterit.
Gazeta ka kontaktuar edhe me UEFA-n, por as kjo e fundit nuk ka dashur të komentojë asgjë rreth mundësisë së pjesëmarrjes së Kosovës në kualifikimet e Botërorit “Rusia 2018”. Megjithëkëtë, nga selia e Michel Platinit kanë dhënë një lajm të mirë për Kosovën, të cilën deri më tani e ka injoruar me të madhe. Kurse tani ka konfirmuar se është duke e shqyrtuar aplikacionin për pranim që muaj më parë e dërgoi FFK-ja.
Andaj, thonë nuk mund të komentojnë për asgjë tjetër rreth Kosovës. “Federata e Futbollit e Kosovës ka aplikuar për anëtarësim në UEFA dhe UEFA-ja është duke e shqyrtuar këtë kërkesë. Për këtë arsye ne nuk mund të komentojmë rreth spekulimeve tjera”, thuhet në përgjigjen e UEFA-s.
Sidoqoftë, në vendin tonë shpresat janë shumë të mëdha për pjesëmarrje në kualifikimet e Botërorit. Shtetet evropiane do të garojnë në nëntë grupe, shtatë prej të cilave kanë nga gjashtë skuadra, kurse dy të tjera nga pesë sosh.
Kosova pret të futet në ndonjërin prej këtyre dy grupeve që kanë nga pesë. Në Grupin H gjenden Belgjika, Bosnja dhe Hercegovina, Greqia, Estonia e Qipro, kurse Grupin I përbëhet nga Kroacia, Islanda, Ukraina, Turqia e Finlanda.
I bindur në pjesëmarrje në kualifikime, përzgjedhësi i Kosovës, Albert Bunjaku, tashmë ka nisur t’i bëjë planet sikurse trajnerët e shteteve tjera.
“Përpos pjesëmarrjes, për asgjë tjetër ne nuk guxojmë të mendojmë si shtab teknik. Po ashtu, ne bazohemi edhe në informatat e marra rreth vullnetit pozitiv që ekziston për ta zgjedhur këtë çështje, por edhe për lëvizjet tjera pozitive, si ndërkombëtarizimi i federatave tjera kosovare dhe Komitetit Olimpik të Kosovës. Pra, duhet të jemi shumë pozitivë, ngase është e drejtë e jona njerëzore”, ka deklaruar Bunjaku.
Madje ai ka shkuar edhe më larg, duke shprehur bindjen se Kosova mund të kualifikohet në Botëror, nëse i kthehen disa yje.
Wednesday, 29 July 2015 12:02