Federata e Futbollit e Kosovës ka mbetur e zhgënjyer nga vendimi i FIFA-s për të mos lejuar kombëtaren e madhe të luajë ndeshje miqësore ndërkombëtare, ndaj për të zgjidhur sa më shpejt këtë problem, po bën gati dosjen për aplikim për anëtarësim të plotë në organizatën që drejton futbollin botëror.
Lajmi u konfirmua nëpërmjet agjencisë “Reuters”, pas një deklarate për shtyp të shpërndarë nga presidenti i FFK, Fadil Vokrri.
“Vendimi i Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s ishte një vendim i rëndësishëm, pasi njeh rolin e Kosovës dhe pjesëmarrjen e saj në futboll. Ne do të nxjerrim maksimumin nga ky vendim, në të mirë të lojtarëve, skuadrave dhe klubeve tona. Por ky vendim është gjithashtu zhgënjyes dhe jo plotësisht i kënaqshëm pasi duket se përjashton ekipin kombëtar të madh për arsye të pashpjeguara”, shkruhet në deklaratën e Vokrrit.
Kosova nuk ka kërkuar deri tani asnjëherë zyrtarisht anëtarësimin në FIFA, por kjo gjë do të ndryshojë shumë shpejt, sipas asaj që është konfirmuar nga vetë presidenti i FFK.
“FFK do të paraqesë kërkesën e saj për anëtarësim në FIFA, gjë që është hapi më logjik pasi pjesa më e madhe e shteteve të OKB, 97 të tilla,e kanë njohur Kosovën. 108 nga 209 anëtarët e FIFA-s përfaqësojnë shtete apo territore që kanë njohur Kosovën, duke përmbushur kriterin e përcaktuar në statutet e FIFA-s për anëtarësim”, tha Vokrri.
FIFA pranoi parimisht në maj që Kosova të luante ndeshje miqësore, por pas refuzimit dhe kundërshtimit të fortë të Federatës Serbe dhe presidentit të UEFA-s, Mishel Platini, vendimi përfundimtar u shty deri dy ditë më parë për shkak të përcaktimit të detajeve të implementimit të tij. Fakti se UEFA refuzon fuqimisht përfaqësimin e futbollit kosovar në arenën ndërkombëtare, ka bërë që drejtuesit e futbollit kosovar thuajse të injorojnë plotësisht këtë organizatë dhe të varin të gjitha shpresat e tyre vetëm te FIFA dhe Sep Blater. Ky i fundit duket se ka prirje të ndihmojë Kosovën, e pse jo të pranojë anëtarësimin e saj, edhe pse një nga kriteret është pikërisht anëtarësimi më parë në Konfederatat kontinentale. (LajmeShqip.com)
Sunday, 16 December 2012 09:46