Loran Koshielni ka treguar se ai dhe shokët e tij në kombëtaren e Francës mendonin se Loran Blank do të vazhdonte punën e tij si trajner me këtë përfaqësuese edhe pas Euro 2012. Ndonëse 46 vjeçari zhvilloi bisedime të gjata me drejtuesit e Federatës Franceze, ai vendosi të mos rinovonte me ta, ndërsa më pas në këtë post u zgjodh Didier Deshamp.
“Ne e dinim që Blank ishte në fundin e kontratës por nuk ka patur asnjëherë diskutime rreth kësaj çështje gjatë Evropianit. Ai ishte i përqendruar 200% në misionin e tij. Nuk dëgjuam asnjëherë të fliste për largimin dhe mendonim se do të vazhdonte aventurën e tij me ne”, ka treguar mbrojtësi i Arsenalit.
“Ai ka bërë një punë shumë të mirë me ekipin. Ndihmoi shumë lojtarë të zhvilloheshin dhe vuri në zbatim atë që deshi të bënte. Por tani në drejtim do të jetë një staf i ri dhe presim të shohim se si do të jetë e ardhmja jonë”, tha futbollisti francez, i cili lavdëroi edhe trajnerin e ri të përfaqësueses.
“Deshamp është një trajner shumë konkurrues. Ai ka shpirtin e fituesit dhe dëshirën për të fituar trofe. E tregoi një gjë të tillë me Olimpik Marsejën dhe shpresojmë që ta bëjë një gjë të tillë edhe me Francën, në mënyrë që të gjithë ne të shkojmë në Kupën e Botës”. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 25 July 2012 20:11