Presidenti i Empolit, Fabricio Korsi, ka bërë të qartë se Elseid Hysaj nuk do të largohet nga kjo skuadër përfundimisht. Sipas tij, nëse pranohet ndonjë transferim, ai do të bëhet vetëm në bashkëpronësi.
“Nuk kam folur me asnjë nga Lacio për të folur rreth Hysajt, por di që futbollisti shqiptar figuron në listën e dëshirave të të paktën dy klubeve të Serisë A. Me Lotiton më lidh një raport respekti, e vlerësoj si një personazh piktoresk, simpatik, me vlera të mëdha dhe me aftësi të mëdha drejtuese të një klubi futbolli. Me sa duket deri tani nuk ka pasur kohën e duhur për të folur me mua”, tha Korsi duke nënkuptuar se pret një telefonatë nga Lotito për të nisur zyrtarisht negociatat për transferimin e Hysajt.
“Cila është vlera e mbrojtësit tonë? Unë e lexoj nga gazetat por mund ta them se vlerën e vendos tregu. Mund të them vetëm se në fund të merkatos, në rast se ka kërkesa të rëndësishme, mund të pranojë transferimin e tij, por vetëm në bashkëpronësi”, përfundoi presidenti i Empolit. “A do të pranoj shkëmbim lojtarësh nga Lacio? Më kanë pëlqyer disa lojtarë të rinj të tyre më parë, por është e parakohshme të flasim, për sa kohë që nuk kam folur me Lotiton”. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 25 June 2013 13:54