Antonio Konte nuk ka ngurruar t’i kundërpërgjigjet sulmeve që skuadra e Sëlltikut ka bërë kundër lojtarëve të tij pas përfundimit të ndeshjes së parë mes dy ekipeve në Ligën e Kampioneve. Ekipi skocez është ankuar për sjelljen e parregullt të lojtarëve të Juventusit të cilët përdornin lojë të pistë për të kontrolluar kundërshtarët në goditjet standarde, që është arma më e fortë e kësaj skuadre.
“Nëse Nill Lenon ankohet për gjyqtarët, atëherë nuk mund të vijë në Itali sepse këtu ankohemi të gjithë për ata, ndaj nuk përbën çudi. Ai po ecën mirë dhe Sëlltiku po luan mirë. Por nëse analizoj ndeshjet e tyre, gjithmonë ka një goditje dënimi kundër tyre në sulm, pasi një lojtar i Sëlltikut bllokon gjithmonë portierin kundërshtar. Por rregullorja thotë se portieri në zonën e vogël është i paprekshëm. Ndaj i kujtoj atyre që protagonistë në fushë duhet të jenë lojtarët dhe jo gjyqtari”, ishte komenti i Kontes mbi rivalët e Juventusit.
Trajneri italian ka komentuar edhe zërat që e shohin atë të largohet drejt Çelsit apo Real Madrid në fund të këtij sezoni, pasi dy klubet e njohura kanë shprehur interesim për të.
“Zëra të tillë krijojnë kënaqësi, jo vetëm për mua, por edhe për skuadrën, pasi janë komplimente që vijnë nga jashtë. Duhet të jemi të gjithë krenarë për gjëra të tilla dhe të mundohemi të bëjmë edhe më shumë. A ka klauzolë largimi në kontratën time me Juventusin? Kur të rinovoj kontratën, ndoshta do ta vendos një të tillë, por tani nuk ekziston”, ishte batuta e trajnerit italian. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 05 March 2013 19:05