Forma aspak e mirë që ka kaluar Juventusi në janar, me eliminimin nga Kupa e Italisë dhe vetëm 5 pikë të siguruara në katër ndeshjet e fundit në kampionat, nuk shqetëson trajnerin Antonio Konte. Ai e vlerëson si normale rënien në formë në një pikë të sezonit, ndërsa parashikon se tashmë në kampionatin italian, rivali kryesor është kthyer padyshim skuadra e Napolit.
“Unë jam i qetë, nuk është momenti më i vështirë që nga koha kur kam ardhur këtu. Por një periudhë e tillë mund të qëllojë, siç ndodhi në vitin e kaluar kur regjistruam shumë barazime radhazi. Mund të ndodhë që ti bën maksimumin për të fituar, por pastaj topi mbërrin dy herë në zonë tënde dhe ti pëson dy gola”.
“Këtë titull kampion do ta fitojë skuadra më e mirë, siç ndodhi në vitin e kaluar. Kampionati është i vështirë dhe Napoli është rivali ynë direkt. Ka ndërhyrë shumë fort në merkato dhe ka të gjithë mjetet që i nevojiten për të fituar titullin kampion. Milani? Ka marrë lojtarë të rinj por të rëndësishëm, është përforcuar. Neve ndoshta nuk kemi gjetur një objektiv që të vlente një shifër të rëndësishme si Baloteli për Milanin. Me përjashtim të Mario, lojtarët e elitës si Suarez, Jovetiç apo Kavani nuk kanë ndryshuar ambient”, tha trajneri i bardhezinjve.
Megjithatë, ai mbetet i kënaqur me mbërritjen e Anelka, i cili ishte maksimumi i mundshëm duke parë buxhetin e kufizuar.
“Jemi munduar të bëjmë atë që mundeshim. Jua kam thënë se nuk ekzistonin burimet ekonomike, ndaj kur dëgjoja emra të mëdhenj jua përgënjeshtroja gjithmonë. Anelka? Ai është treguar një profesionist i jashtëzakonshëm pasi është paraqitur në formë të mirë fizike edhe pse ka luajtur në tetor ndeshjen e tij të fundit në Kinë. Por edhe atij i duhet të integrohet në skemat tona, pasi e dini se sa të rëndësishëm janë sulmuesit në të gjithë manovrën e Juventusit”, tha Konte. (LajmeShqip.com)
Saturday, 02 February 2013 13:04