Trajneri i Juventusit, Antonio Konte, ka bërë të qartë se mendon se shpallja e skuadrës së Napolit si e pafajshme dhe kthimi i vendimit për heqjen e dy pikëve në këtë kampionat ndaj kësaj skuadre, do të thotë se është vënë drejtësia në vend. Ndonëse kjo skuadër është rivale e Juventusit të tij në luftën por titull, Konte mendon se klubi nuk kishte pse të mbante përgjegjësi për atë që kishte ndodhur dhe se ishte e drejtë që edhe Kanavaro e Grava të shpalleshin të pafajshëm.
“Drejtësia është vënë në vend me kthimin e pikëve që iu hoqën Napolit, ashtu si edhe shpallja të pafajshëm për Kanavaro dhe Grava. Por ta dini se edhe unë nuk duhej të isha pezulluar në të njëjtën mënyrë”, ishin fjalët e Konte kur u pyet se si ndjehej pasi napolitanët i janë afruar më shumë skuadrës së tij në renditje.
Më pas, ai ka folur me elozhe të mëdha për yllin e ri të mesfushës së Juventusit, 19 vjeçarin Pol Pogba, për të cilin ka thënë se ka karakteristika të ngjashme me një ish-yll të futbollist botëror, holandezin Frenk Rajkard.
“Pogba ka karakteristika të njëjta me Rajkard dhe mund të vazhdojë të përmirësohet për t’u kthyer në një prej lojtarëve më të mirë në botë në këtë rol. Ai është prova që tregon se talenti mund të dalë në pah nëse ndihmohet dhe përkrahet në mënyrën e duhur”, tha Konte. (LajmeShqip.com)
Sunday, 20 January 2013 14:15