Fitorja 2-1 e Juventusit ndaj Peskara nuk ka kaluar pa tension në radhët e kryesuesve të kampionatit italian, sidomos për shkak të paraqitjes së dobët të disa lojtarëve në prag të sfidës vendimtare të Ligës së Kampioneve kundër Bajern Mynih. Një fakt të tillë e ka pranuar edhe trajneri Antonio Konte, duke iu referuar sidomos paraqitjes së Mirko Vuçiniç, të cilën ai e ka cilësuar negative edhe pse sulmuesi shënoi dy gola.
“I thashë atij se bëri një ndeshje m… dhe shënoi dy gola. Imagjinoni çfarë do të kishte bërë po të kishte luajtur mirë. Sidoqoftë, me Bajernin do të përfundojë në pankinë”, ishte komenti i trajnerit të bardhezinjve, ndërsa nuk u kuptua nëse kjo batutë ishte me ironi apo ishte ajo që po mendon të bëjë realisht Konte në sfidën e mesjavës.
Shumëkush u çudit edhe nga festimi i golave të Juventusit, ku Vuçiniç u afrua pranë pankinës, por më pas u godit me shpullë në fytyrë nga trajneri i bardhezinjve. Por vetë malazezi ka sqaruar se gjithçka ka qenë shumë miqësore dhe jo një zënkë e momentit.
“Ata të trajnerit ishin shpulla afrimiteti. Ishte entuziazmi i suksesit dhe kur fitohet, gjithçka është e lejueshme”, ishte komenti i malazezit i cili duket se e ka pasur mendjen më shumë te ndeshja ndaj Bajern Mynih në mesjave, ku shpreson te mrekullia e kualifikimit.
“Para tifozëve jemi ne që besojmë, në të kundërt do të ishte e padobishme qoftë edhe të zbrisnim në fushën e lojës. Duhet ta interpretojmë ndeshjen si një luftë, gjermanët nuk do të gjejnë një klimë miqësore në stadiumin tonë. Ne duhet të sakrifikojmë më shumë se ata, të vrapojmë më shumë se ata, të japim maksimumin”, tha Vuçiniç. (LajmeShqip.com)
Sunday, 07 April 2013 10:26