Antonio Konte ka bërë të qartë se Juventusi nuk ka ndër mend për momentin të kthejë Zlatan Ibrahimoviç në radhët e kësaj skuadre, pasi bardhezinjtë nuk kanë luksin të shpenzojnë shifra të çmendura në merkato e për më tepër të ofrojnë rroga të larta si ajo e suedezit.
“Yjet shkojnë atje ku paguhen shumë. Tani këtu në Itali nuk ka asnjë skuadër që mund t’i lejojë vetes të paguajë një lojtar me rrogë 9-10 milion euro në sezon. Fjalët e Ibrahimoviç vlerësohen se janë komplimente të bëra nga një lojtar i madh, por edhe Suarez e lojtarë të tjerë mund të thonë të njëjtën gjë”, tha ai duke iu referuar suedezit që kishte deklaruar se Juventusi është një prej skuadrave më të mëdha në Evropë.
Por Konte mendon se bardhezinjtë kanë shumë punë për të bërë, siç e tregoi qartësisht paraqitja e tyre në Ligën e Kampioneve. As fitorja 4-0 e Bajern Mynih ndaj Barcelonës nuk ngushëllon trajnerin, i cili shpreson që në sezonin në vazhdim të ngushtojë diferencën me ata që aktualisht merren si shembulli i futbollit në Evropë.
“Rezultati 4-0 me të cilin mundën Barçën nuk na ngushëllon. Ne jemi Juventusi dhe duhet të shohim lart, jo poshtë, ndaj duhet të përmirësohemi. Të martën Bajerni konfirmoi se është një skuadër e madhe. Ne kemi kuptuar nivelin tonë dhe sa duhet të përmirësohemi”, deklaroi trajneri i skuadrës që mund të shpallet kampion nëse Napoli mundet sonte dhe bardhezinjtë fitojnë nesër në derbi. (LajmeShqip.com)
Saturday, 27 April 2013 13:43