Antonio Konte ka bërë të qartë se Juventusi aktualisht nuk ka asnjë marrëveshje për të sjellë Didier Drogba në Itali gjatë merkatos së janarit. Ndonëse “Gazzetta Dello Sport” insiston se bardhezinjtë janë shumë pranë një akordi me sulmuesin, vetë trajneri e ka hedhur poshtë një mundësi të tillë, duke iu referuar kërkesave të larta ekonomike që sjell një marrëveshje me lojtarë të këtij kalibri.
“Të flasësh për merkaton e futbollistëve do të ishte edhe një mungesë respekti ndaj lojtarëve të mi, të cilët kanë treguar dëshirë dhe përkushtim ndaj ideve të mia gjatë vitit të fundit.
“Ne jemi shumë në rregull edhe po të vazhdojmë të mbajmë këmbët në tokë. Kjo është një kohë e vështirë, po të kesh parasysh klimën ekonomike, jo vetëm te Juventus, por te të gjithë klubet. Nuk do të afroj ndonjë lojtar elite në skuadër gjatë janarit pasi nuk i kemi mundësitë ekonomike për ta përballuar një gjë të tillë”, tha trajneri i cili ka shpjeguar strategjinë që po mundohet të ndjekë klubi në këtë sezon.
“Ne duhet të nxjerrim maksimumin nga lojtarët që kemi dhe duhet të punojmë shumë për të përmirësuar lojtarët aktualë, duke i kthyer në lojtarë elite. Disa prej tyre e kanë arritur këtë nivel, ndërsa disa të tjerë do të bëhen shumë shpejt lojtarë të mëdhenj”, tha trajneri që i ka kthyer Juventusit lavdinë duke i dhënë një titull kampion dhe kualifikuar mes 16 më të mirave në Ligën e Kampioneve. (LajmeShqip.com)
Monday, 17 December 2012 13:02