Festimet e trajnerit Antonio Konte në fund të ndeshjes mes Bolonjës dhe Juventusit, të fituar nga skuadra e tij me rezultatin 2-0, janë bërë objekt polemikash në Itali, ku vendasit e kanë akuzuar trajnerin e bardhezinjve për mungesë respekti ndaj tyre. Por trajneri i kryesuesve të kampionati italian ka hedhur poshtë këto akuza, duke deklaruar se ato vinin vetëm për shkak të antipative personale.
“Nëse nuk mund të festoj me tifozët e mi pas një fitoreje kaq të rëndësishme, atëherë nuk e di se çfarë mund të më lejohet më të bëj”, tha Konte pas ndeshjes. “E di që shumë njerëz mërziten kur fitojmë ne, por ju siguroj se këtu nuk kishte asnjë mungesë respekti ndaj ndokujt. Ndodhin aq shumë gjëra të shëmtuara në vende të tjera si gjuajtja me gurë e autobusëve të skuadrave, ndaj ku është gjëja e keqe që unë shkoj të festoj me tifozët e mi?”, ishte përgjigja e tij ndaj kësaj polemike.
“Që kur cilësohet mungesë respekti festimi dhe gëzimi se je shumë pranë fitores së një tjetër titulli kampion? Unë vetëm po festoja përkrah tifozëve të mi, ndërsa gjestet që kam bërë në fund të ndeshjes ishin spontane dhe i drejtoheshin vajzës time”, vijoi Konte. (LajmeShqip.com)
Sunday, 17 March 2013 10:06