Antonio Konte ka ide të qarta për të ardhmen e tij; fillimisht do të ngrejë sa më lart emrin e Juventusit, mundësisht duke fituar një Ligë Kampionesh, ndërsa më pas do të shkojë për të drejtuar jashtë Italisë, me shpresën që një ditë të bëhet një trajner po aq i madh sa Pep Guardiola e Zhoze Murinjo.
“Nëse do të isha lojtar, do të më pëlqente të kisha një trajner si Konte, do të më ndihmonte të shihja futbollin në një këndvështrim tjetër. Futbolli që aplikoj unë është ai që ka rregull. Më shumë se Murinjo e Guardiola? Ata janë në piedestal, unë punoj për t’u ngjitur në të njëjtin nivel. Unë e studioj futbollin nga pikëpamja teknike, taktike, psikologjike, fizike dhe ajo e administrimit. Edhe në shtëpi, kur lexoj libra, zgjedh ato që më ndihmojnë në profesionin tim”, u shpreh trajneri i bardhezinjve në një intervistë të dhënë për “Tuttosport”.
“E ardhmja? Të shohim! Për mua ky është kurorëzimi i një ëndërre. Shpresoj që të jetë një rrugëtim i gjatë, pas tij do të jetë vetëm eksperienca jashtë. Në Itali do të më pëlqente të merrja drejtimin e kombëtares, por ai është një hap i mëvonshëm”, tha Konte.
Për vitin 2013, trajneri i bardhezinjve i ka vënë objektiv vetes të rifitojë kampionatin italian dhe të synojë t’i afrohet sa më shumë Ligës së Kampioneve.
“Ky Juventus është më i fortë se vitin e kaluar. Edhe në Ligën e Kampioneve do të bëjmë maksimumin. Sëlltikun do ta përballojmë sikur të ishte Reali apo Barcelona pasi mendjemadhësia do të na masakronte. Është e pamundur të mos e mendojmë kalimin. Do të ishte një krim pasi jemi aty, do të luftojmë. Unë ëndrrat zakonisht i kultivoj”, tha trajneri i Juventusit. (LajmeShqip.com)
Monday, 24 December 2012 17:27