Antonio Konte ka vërtetuar se i ashtuquajturi “stili Juventus” vazhdon të mbijetojë në klubin bardhezi dhe çdo lojtar është i barabartë para rregulloreve të brendshme të klubit. Trajneri i bardhezinjve ka vendosur të lërë jashtë skuadre mesfushorin Pol Pogba për ndeshjen në Peskara, edhe pse francezi është në këto momente lojtari më në formë.
Lënia jashtë skuadre e Pogba nuk është një zbulim i mediave, por ka qenë vetë klubi që ka treguar nëpërmjet një komunikate zyrtare se kjo ishte një masë disiplinore ndaj futbollistit 19 vjeçar. Kampionët e Italisë kanë bërë të qartë se francezi është vonuar dy herë në stërvitjen e skuadrës e si rrjedhojë, është ndëshkuar në bazë të rregullores së brendshme të klubit.
Përballë rreptësisë së bardhezinjve nuk ka reaguar as menaxheri i lojtarit, Mino Raiola, i cili ka vendosur si rrallëherë të mos bëjë komente për këtë ngjarje.
Juventusi ka një histori mjaft të gjatë disiplinimesh dhe rregullash të caktuara të sjelljes së lojtarëve. Disa vite më parë, lojtarëve nuk u lejoheshin prerjet ekstravagante të flokëve, tatuazhet e dukshme, apo vëthët. Shembulli më konkret është ai i Fabricio Mikolit, i cili tregon se në ditën kur hyri për herë të parë në ambientet e klubit bardhezi si lojtar i kësaj skuadre, u detyrua që të hiqte vëthët që te dera, me urdhër të drejtorit të atëhershëm Luçiano Moxhi. (LajmeShqip.com)
Saturday, 10 November 2012 09:30