Kompania irlandeze e basteve sportive, “Paddy Power”, deklaroi se do të ishte ajo që do të paguante gjobën që UEFA i vuri Niklas Bendtner, pasi ky i fundit tregoi një palë mbathje që mbanin si mbishkrim emrin e kësaj kompanie ndërsa po festonte një nga golat e shënuar kundër Portugalisë.
Sulmuesi u gjobit me 100 mijë euro për këtë veprimi dhe u pezullua një ndeshje ndërkombëtare. Dënimi u cilësua shumë i ashpër, pasi UEFA nuk ka gjobitur kaq rëndë as sjelljet raciste, ku ajo e fundit e tifozëve kroatë kundër Mario Balotelit u ndëshkua me 80 mijë euro gjobë.
Kompania irlandeze e publikoi vendimin e saj, duke e cilësuar një gjest argëtimi të lojtarit dhe se realisht nuk kishte patur një kontratë sponsorizimi me të.
“Ne kemi vendosur të paguajmë faturën e gjobës. “Paddy Power” do t’i paguajë gjobën shumë të kripur prej 100 mijë eurosh që ka vendosur UEFA për Bendtner. Nuk mendojmë se Niklas duhet të penalizohet për veshjen e mbathjeve të tija me fat, për të cilat mendojmë se ishte diçka argëtuese”, shkruhej në deklaratën e kësaj kompanie.
Vetë Bendtner ka deklaruar se nuk kishte bërë asgjë me qëllim dhe se këto mbathje i përdorte për fat kur luante me kombëtaren. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 20 June 2012 10:01