Finlanda dhe Kosova pritet të jenë dy kundërshtaret e Shqipërisë për dy miqësoret e muajit Nëntor
Federata Shqiptare e Futbollit kërkon që më datën 13 të muajit të ardhshëm të luajë në “Elbasan Arena” ndaj përfaqësueses finlandeze, ndërsa katër ditë më pas, pra më 17 Nëntor të udhëtojë drejt shtetit më të ri Europian, për një sfidë festive për kualifikimin historik të Shqipërisë në “Euro 2016″, transmeton SuperSport.
Ndonëse bisedimet janë në rrugë të mbarë, pritet vetëm përgjigjja e palës finlandeze për zyrtarizimin e këtyre dy miqësoreve.
Në fakt pritej që Shqipëria të luante me një skuadër që është kualifikuar në Francë 2016, por duket se kundërshtarja e radhës e kuqezinjve do të jetë Finlanda, e cila i mbylli eliminatoret në vendin e katërt në Grupin F në kuotën e 12 pikëve, ndërsa aktualisht pozicionohet e 64-ta në renditjen e përgjithshme të FIFA-s.
Përsa i përket miqësores me Kosovën, Federata Shqiptare e Futbollit e kishte vendosur që të luhej në Nëntor por pritej thjesht përcaktimi i datës, që ishte në varësi të miqësores tjetër.
Sunday, 25 October 2015 10:50