Peter Olainka, sulmuesi i Skënderbeut, pritet të pajiset me pasaportë shqiptare. Nigeriani ka gjasa që ta veshë edhe fanellën e Kombëtares shqiptare.
Pas më shumë se një viti, që nga momenti kur kapiteni i Skënderbeut, Bledi Shkëmbi, propozoi që sulmuesit nigerian Peter Olainka t’i bëhet pasaporta shqiptare, për t’i dhënë mundësi që të luajë me Kombëtaren kuqezi, të dielën në mbrëmje ka ardhur edhe sinjali i dytë. Natyrisht, këtë herë është më i fuqishëm se i pari, sepse bëhet fjalë për një zyrtar të lartë të FSHF-së.
Gjatë emisionit “Rubrika Sportive” në TVSH, anëtari i Komitetit Ekzekutiv, Fatbardh Jera, ka rikthyer idenë “e çmendur” për ta pajisur me pasaportë sulmuesin nigerian të Skënderbeut.
Në momentin kur po flitej për sulmuesit e Kategorisë Superiore, Jera ka bërë elozhe për repartin ofensiv të Skënderbeut, duke hapur më pas një temë të re diskutimi. Ai ka thënë ndër të tjera se për një sulmues cilësor si Olainka, do të ishte i pari që do të propozonte përfshirjen në Kombëtare. Madje, Jera konfirmoi se këtë do ta bëjë që në mbledhjen e radhës së Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së.
I kontaktuar dje nga “Panorama Sport”, sulmuesi nigerian i Skënderbeut e ka pritur mjaft mirë idenë e ngritur nga anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, Fatbardh Jera. Një gjë të tillë, ashtu si dhe një vit më parë, kur sugjerimi për Kombëtaren erdhi nga kapiteni Bledi Shkëmbi, Olainka e lë gjithçka të hapur nëse do të vinte një propozim konkret nga Federata Shqiptare e Futbollit. Talentin nigerian e josh ideja për të veshur fanellën kuqezi, aq më tepër tani që Shqipëria do të luajë edhe në Europianin e Francës.
Tuesday, 20 October 2015 20:51