Federata Shqiptare e Futbollit ka filluar përgatitjet intensive për të siguruar një miqësore në qershor, para se Shqipëria të luajë ndeshjen zyrtare të eliminatoreve të Botërorit 2014 ndaj Norvegjisë në kryeqytet.
Trajneri De Biasi ka bërë të qartë se kërkon një kundërshtar për kuqezinjtë, ndaj është përpiluar një listë e skuadrave të cilat nuk kanë ndeshje në qershor, apo kanë datën e parë pushim, ashtu si kuqezinjtë. Ka rënë në sy menjëherë që një nga vendet që nuk luan ndeshje zyrtare në qershor është Turqia, ndaj kanë filluar kontaktet intensive mes palëve për të organizuar këtë takim.
Në këtë ndeshje, trajneri i përfaqësueses kuqezi do të ketë mundësinë të ndjekë nga afër lojtarët që planifikon të aktivizojë ndaj Norvegjisë, sidomos për të gjetur zëvendësues sa më cilësorë për treshen Cala-Lila-Roshi, që mungojnë për shkak pezullimi.
Për të pasur në një formë sa më të mirë lojtarët, FSHF ka vendosur parimisht që grumbullimi të zhvillohet jashtë Shqipërisë, mundësisht në Zvicër. Kushtet atmosferike atje janë më të përshtatshme se ato në vendin tonë në fundin e majit dhe fillimin e qershorit, ndërsa në një stadium atje mund të zhvillohet edhe miqësorja me Turqinë, ashtu siç u veprua më parë për ndeshjen ndaj Kamerunit.
Meqë pjesa më e madhe e kampionateve në Evropë ku luajnë “legjionarët” përfundon në javën e tretë të majit, De Biasi ka kërkuar që të zhvillojë një grumbullim më të gjatë me lojtarët, për të pasur mundësinë që të punojë sa më shumë me ata që do të aktivizohen ndaj Norvegjisë, në ndeshjen që me shumë mundësi do të përcaktojë edhe fatin e kombëtares tonë në kualifikueset në Botërorin 2014. (LajmeShqip.com)
Monday, 29 April 2013 18:14