Tiranë – Një njeri ka të paktën dy jetë, të dyja të jetuara në mënyra të ndryshme, me lumturinë dhe dhimbjen që të jep secila. Josip Kuzhe, trajneri i Shqipërisë, është një nga ato personazhe komplekse, që kanë mundur të kapërcejnë disa rrathë të ferrit për të mundur të qendrojnë të paktën në purgator, sepse ndoshta parajsa është pak si shumë për ta.
Në Shqipëri nuk ka dëshirë të flasë shumë, por në Kroaci herë pas here hapet dhe tregon të kaluarën.
“Çdo njeri ka një histori të veten dhe unë kam një histori të madhe”, – shprehet ai për “Sportske Novosti”. Histori e lidhur me emocionet e forta deri në halucinacione në kazino, ku humbi milionat e tij të shtrenjta dhe të fituara me punë të madhe.
E shoqja e tij ka thënë një fjalë të madhe: “Nëse do të duhej të humbisnim diçka të madhe për të kaluar problemet e tua, më mirë që kemi humbur paratë”.
Dikur, një kritik arti me bindje të majta, thoshte për Moxartin se “i duhej të shkruante shumë për të fituar bukën e gojës, ishte uria që e shtynte dhe ndoshta ky nxitim e bëri që të krijonte kryeveprat që ndryshe nuk do të ishin”.
Ndoshta po ashtu si kompozitori madhështor austriak, edhe trajneri kroat i kuqezinjve po punon tani më mirë se gjatë gjithë jetës së tij, pikërisht sepse nuk ka më llogaritë bankare që t’i garantojnë një jetesë komode edhe pa u djersitur”.
Ndoshta sepse është disi hollë, ai ka nisur të bëjë llogaritë e tij sipas parimit “punën ia shes atij që paguan më mirë”. Në postin që ka nuk fiton keq, po ashtu edhe rezultatet kanë qenë mjaft të mira, ndërsa e ardhmja ende nuk dihet.
Fillimisht, mediat kroate e kanë ngacmuar në dhjetor të vitit të kaluar, ndërsa reagimi i presidentit të FSHF-së, Duka, ishte i përmbajtur. Tashmë, po del në ankand posti i trajnerit të Dinamos së Zagrebit dhe Kuzhe është një kandidat, ndonëse ka ende kontratë me FSHF-në. Presidenti Mamiç i ka dhënë trajnerit të tanishëm, Halilhoxhiç 48 orë afat për të ndarë mendjen, ndërsa mediat shkruajnë se “po të jetë për tifozët, ata do të merrnin trajner Kuzhen”. Dikush shkruan se “Kuzhe është më pranë detyrës”, duke theksuar pikërisht dashurinë e tifozëve dhe zbulimin e talenteve si Modriç, Çorluka apo Eduardo. Kuzhe jepet si 70 për qind favorit për stolin zagrebas. Palët kanë pasur rast të takohen në 100-vjetorin e themelimit të Dinamos, ndërsa pagesat në “Maksimir” do të arrinin edhe deri në 750 apo 900 mijë euro në sezon. Vërtet diçka për t’u menduar fort.
Thursday, 28 April 2011 18:16