FSHF ka bërë publike sot listën e kombëtares shqiptare të grumbulluar nga trajneri De Biazi për miqësoren kundër Gjeorgjisë me 29 shkurt.
Përveç mungesave të konfirmuara për shkak dëmtimesh të Canës e Currit, bie në sy mungesa e asaj që deri pak muaj më parë ishte dyshja titullare e kombëtares kuqezi: Salihi-Bogdani.
Nëse për të parin, dihet që udhëtimi drejt SHBA ia ka bërë të pamundur aktivizimin për ndeshjen me Gjeorgjinë, për të dytin duket e çuditshme lënia jashtë liste, pas atij i ka mbërritur ftesa në klub.
Edhe zëvendësuesi “historik” i tyre, Edmond Kapllani, është lënë jashtë liste dhe duket se nuk bën pjesë në planet e trajnerit italian për sa kohë që nuk aktivizohet me skuadrën e tij.
Reparti i sulmit tashmë do të përbëhet krejtësisht nga “gjak i ri”, duke filluar nga Edgar Çani, për të vazhduar me Armando Sadikun dhe Ahmed Januzin.
Mesfusha, reparti që ka pësuar më shumë “firo” pas lamtumirave të Skelës, Lalës e ndoshta edhe Duros, ka në përbërjen e saj një emër që ka provuar edhe më parë shijen e grumbullimit, Hair Zeqirin, i cili po shkëlqen me Rizesporin në kampionatin turk.
Ndërkohë, repart më problematik mbetet mbrojtja, ku për zgjedhje teknike është lënë jashtë Admir Teli, ndërsa dyshen e qendrës do ta përbëjnë dy lojtarë të kampionatit shqiptar, Tefik Osmani dhe Franc Veliu. (LajmeShqip.com)
Lista e përfaqësueses për miqësoren me Gjeorgjinë
1. Samir Ujkani Novara
2. Orges Shehi Skënderbeu
3. Tefik Osmani Teuta
4. Armend Dallku Vorskla Poltava
5. Franc Veliu Flamurtari
6. Andi Lila PAS Janina
7. Kristi Vangjeli Çernomorets Odesa
8. Ervin Bulku AZAL Baku
9. Gilman Lika Tirana
10. Odise Roshi FC Këln
11. Jahmir Hyka Luzern
12. Emiljano Vila PAS Janina
13. Gjergj Muzaka Skënderbeu
14. Ansi Agolli Karabak
15. Hair Zeqiri Rizespor
16. Ahmed Januzi Vorskla Poltava
17. Elis Bakaj Dinamo Bukuresht
18. Armando Sadiku Lokarno
19. Edgar Çani Polonia Varshavë
Friday, 24 February 2012 15:34