Trajneri i Borusia Dortmund, Jurgen Klop, ka lavdëruar rivalët e Bajern Mynih duke i uruar këto të fundit për titullin kampion që siguruan dje duke thyer një rekord për trofeun më të shpejtë të siguruar në historinë e Bundesligës. Sipas Klop, ky është sezoni i duhur ku bavarezët mund të hyjnë në histori me triumfe të tjera edhe më të rëndësishme pasi përveç fitores së titullit kampion me 20 pikë diferencë pikërisht nga Borusia Dortmund, ata janë edhe në Kupën e Gjermanisë dhe favoritë për të kaluar në gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve.
“Ata kanë bërë gjithçka mirë këtë radhë. Bajern po kalon një sezon të pabesueshëm dhe ai mund të bëhet një nga sezonet më të suksesshëm në historinë e futbollit. I përgëzoj me zemër për këtë sukses. Shpresoj që në vitin e ardhshëm, skuadra jonë të arrijë të shkurtojë distancën ndaj tyre”, ishin fjalët e Klop për bavarezët që dje regjistruan edhe një rekord tjetër, duke fituar ndeshjen e 11-të radhazi në kampionat, si askush tjetër më parë. (LajmeShqip.com)
Sunday, 07 April 2013 10:24