Transferimi i Mario Gëtze të Bajern Mynih në sezonin e ardhshëm është konfirmuar edhe nga vetë drejtuesit e Borusia Dortmund si dhe nga trajneri Jurgen Klop, i cili ka shprehur keqardhjen e tij që nuk do të drejtojë më këtë lojtar në sezonin e ardhshëm.
Lajmi i publikuar nga “Bild” që në mbrëmjen e djeshme ka bërë xhiron e botës, ndaj është dashur një konfirmim zyrtar për të sqaruar situatën. “Disa ditë më parë, Mario Gëtze dhe menaxheri i tij, Volker Struth, kanë informuar klubin se duan të aktivizojnë klauzolën e largimit në kontratën e tij për t’u transferuar te Bajern Mynih me 1 korrik”, shkruhej në deklaratën e lëshuar nga klubi.
Edhe konferenca e sotme për shtyp e Jurgen Klop për Ligën e Kampioneve ndaj Real Madrid është kthyer thuajse krejtësisht në një diskutim rreth Gëtze dhe largimit të tij.
“Nuk kuptojmë arsyet pse një lajm i tillë u publikua pikërisht tani, por mund ta imagjinojmë. Nëse ajo që shpresohej ishte që ne të humbim përqendrimin, mendoj se nuk ia kanë arritur qëllimit”, deklaroi Klop duke aluduar se lajmi ishte shpërndarë me qëllim në media për të shpërqendruar skuadrën para sfidës me Real Madrid. “Do të kishte qenë më keq nëse do të kishin dhënë këtyë lajm katër orë para fillimit të ndeshjes, por nga 0 në 10, unë i vë notën 9 si momenti më i keq për të bërë një lajmërim të tillë”.
“Unë lajmin e kam marrë të enjten, një ditë pasi eliminuam Malagan. Ai më tha se është lojtari që ka kërkuar Guardiola për projektin e tij. Edhe unë mund t’i kisha thënë se di të zhvilloj futbollin tiki-taka, por nuk do të kishte vlerë. Iu dha mundësia të punonte me një trajner të njohur dhe e pranoi atë”, deklaroi tekniku i Borusia Dortmund. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 23 April 2013 19:17