Prania e Zhoze Murinjos në tribunat e stadiumit për të parë Borusia Dortmund tek mundte 6-1 Grojter Fyrth, nuk ka shqetësuar aspak trajnerin e ekipit gjerman, Jurgen Klop. Sipas tij, portugezi i Real Madrid ka zgjedhur momentin e gabuar për të vëzhguar skuadrën që do të ketë rivale në gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve.
“Ai do të kthehet në shtëpi me informacione që nuk do t’i hyjnë aspak në punë për pas dy javëve”, ishte deklarata e Klop, duke iu referuar suksesit të thellë të siguruar nga skuadra e tij në këtë sfidë.
“Në vend që të vinte personalisht për të parë se Mario Gëtze mund të luajë edhe në krahun e majtë, do t’i kishte mjaftuar një telefonatë për ta mësuar një gjë të tillë. Na ka parë duke fituar deri në 5-0, ndaj nuk ka pasur mundësinë të testojë ndonjë nga pikët tona të dobëta”, ishte komenti humoristik i trajnerit të Borusias.
“Mendoj se në pjesën e parë ishim spektakolarë. Në javën e ardhshme, ndaj Mainz, do të mundohemi të thyejmë barrierën e 60 pikëve në kampionat. Liga e Kampioneve? Mendoj se ne dhe Reali respektojmë njëri-tjetrin, të paktën ne po”, deklaroi ai. (LajmeShqip.com)
Sunday, 14 April 2013 11:08