Trajneri i Borusia Dortmund, Jurgen Klop, ka kërkuar falje për paaftësinë e klubit të tij për të rivalizuar me Bajern Mynih për titullin kampion në këtë sezon. Dortmund fitoi dy tituj kampion radhazi në sezonet e kaluara përballë bavarezëve, duke treguar se është kthyer në një skuadër elitare, por në këtë sezon nuk ka arritur të shfaqë të njëjtën formë në kampionatin gjerman, duke qenë tashmë plot 20 pikë larg bavarezëve që kryesojnë renditjen të qetë kur kanë mbetur vetëm 9 ndeshje deri në fundin e kampionatit.
“Ndoshta ka ardhur koha të kërkoj falje që nuk kemi arritur të krijojmë rivalitet në kampionat. Por ju garantoj që kemi bërë më të mirën tonë për të ekzistuar një trysni në luftën për titull, pasi të gjithë janë munduar që të shkurtojnë sa më shumë distancën me Bajernin. Kemi dhënë maksimumin në çdo turne të mundshëm”, tha Klop.
“Mos harroni se Bundesliga tani të paktën ka një betejë për rënien nga kategoria,. Ekziston trysni për çdo lloj objektivi tjetër në këtë kampionat, përveç titullit”, tha ai, duke hedhur poshtë pretendimet se kampionati ishte i mërzitshëm.
Ndonëse Borusia ka zhgënjyer në aktivitet në Gjermani, duke qenë shumë larg luftës për titullin kampion apo duke u eliminuar nga Kupa e Gjermanisë, skuadra e Klop ka shkëlqyer në Ligën e Kampioneve ku është kualifikuar me meritë mes 8 skuadrave më të mira të kontinentit. (LajmeShqip.com)
Friday, 15 March 2013 09:08