Trajneri i Borusia Dortmund, Jurgen Klop, ka deklaruar se është i nderuar të dëgjojë për interesimin e drejtuesve të Çelsit në adresë të tij, por as që i shkon ndër mend të transferohet në Londër.
Gjermani shihej si një prej kandidatëve të përzgjedhur nga Roman Abramoviç, përkrah emrave si Zhoze Murinjo dhe Pep Guardiola, por Klop ka treguar se është i lumtur me skuadrën ku gjendet aktualisht.
“Mund t’i refuzoj që tani”, deklaroi ai për televizionin “Sky” pas përfundimit të ndeshjes dramatike të gjysmëfinales së Kupës së Gjermanisë ku ekipi i tij fitoi përballë Grojter Fyrth në minutën e 120-të.
“Unë nuk kam ndërmend të shkoj atje. Por mendoj se është diçka e bukur të përmendem në të njëjtën kohë me emra si Murinjo apo Guardiola. Për kua ky është një triumf personal, por më mjafton kaq. Më vjen keq po nuk jam i disponueshëm për momentin”.
Klop u bë trajner i Borusia Dortmund katër sezone më parë dhe i ka udhëhequr lojtarët e tij drejt pjesëmarrjes në Europa League që në sezonin e dytë. Në sezonin e tretë, 2010-2011, ai udhëhoqi skuadrën drejt titullit kampion në Gjermani, ndërsa mund të marrë një sukses të dyfishtë këtë vit pasi Borusia Dormund kryeson kampionatin gjerman dhe ka arritur finalen e kupës së Gjermanisë.
Pak muaj më parë, Klop rinovoi kontratën e tij me “kanarinat” deri në vitin 2016. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 21 March 2012 14:25