Frenk Lampard do t’i ofrohet një rrogë prej 1 milion paund neto në muaj nëse pranon të transferohet në një skuadër kineze në fund të këtij sezoni.
Mesfushori i përfaqësueses angleze kërkohet me ngulm si nga Shangai Shenhua ku aktivizohen aktualisht Didier Drogba dhe Nikolas Anelka, ashtu edhe nga rivalët e tyre të Pekin Guoan.
Gazeta “The Sun” ka bërë të ditur se të dy klubet kineze janë gati t’i ofrojnë atij shumën e pabesueshme prej 1 milion paund në muaj neto nëse pranon të transferohet.
Kontrata e Lampard me Çelsin mbyllet në fund të këtij sezoni dhe që nga janari ai është i lirë të hyjë në bisedime me cilindo klub që dëshiron pa lejen e klubit londinez.
Duket se mesfushori është shumë pranë largimit nga “Stemford Brixh” pas 11 vitesh aty, për shkak të politikës së re që ndjek klubi i Çelsit, i cili ofron vetëm rinovime njëvjeçare për lojtarët mbi moshën 30 vjeç.
Në të kundërt, Lampard mund të përfitojë rreth 36 milion paund neto për tre vite në Kinë përkrah Drogba e Anelka, ndonëse ai ka deklaruar shpesh se kërkon më shumë sfida e projekte sportive sesa ekonomike, pasi është i pasur mjaftueshëm.
Ndërkohë, gazeta britanike ka bërë të ditur se largimi i mundshëm i Lampard nga klubi anglez i intereson edhe klubit të LA Galaksi, që ka angazhuar Devid Bekam për t’i mbushur mendjen bashkëkombësit të tij të transferohet në SHBA. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 09 October 2012 11:40