Juventus dhe Del Piero do të ndjekin dy rrugë të ndryshme që nga qershori i këtij viti. Por duket se vetë lojtarët e skuadrës bardhezi po bëjnë të pamundurën për të mbajtur në gjirin e tyre sulmuesin dhe i kanë dërguar sinjale të qarta klubit që të provojë të rinovojë me futbollistin.
Mbrojtësi Xhorxho Kielini ka bërë të qartë këtë qëndrim me fjalët e tij. “Ndarja? Nuk mund të thuhet asnjëherë nëse është e drejtë apo e gabuar. Ne si lojtarë thjesht mund të shohim dhe të pranojmë këto zgjedhje. Për ne, kampioni dhe njeriu qëndrojnë, do të dëshironim ta kishim gjithmonë në skuadër. Mendoj se deri në fundin e sezonit do të ketë kohë për të dhe për klubin që të flasin dhe të vendosin”, ishte sinjali i qartë i lëshuar nga mbrojtësi.
“Ale ka qenë një nga të parët që mendon vetëm për fushën dhe për të na dhënë një dorë gjatë vitit, ndaj shpresojmë që të vazhdojë ta bëjë një gjë të tillë në këto dy muaj. Por është e drejtë që bisedat e tjera t’i lëmë jashtë skuadrës për të evituar polemika”, përfundoi ai. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 27 March 2012 09:40