Sami Khedira beson se suksesi që po përjetojnë skuadrat gjermane në Ligën e Kampioneve nuk është rastësi, por fryt i një pune dhe planifikimi të gjatë. Mesfushori i Real Madrid ka vlerësuar punën që po bëhet në vendlindjen e tij me futbollin e moshave, pasi po prodhohen shumë talente.
Ky është edicioni i parë që në vitin 2002 që Gjermania ka 2 skuadra në çerekfinalet e Ligës së Kampioneve, ndërsa edhe Shalke kishte shanse të kalonte në këtë tur, por u eliminua nga Gallatasaraj.
“Nuk është rastësi apo fat. Shalke për pak arriti në çerekfinale. Ata thjesht kishin pak mungesë eksperience. Dortmund dhe Bajern janë shumë të fortë, gjë që e kanë treguar jo vetëm në sezonin e kaluar por edhe atë aktual, ndërsa ato luajnë mirë në nivelin evropian. Kjo vjen falë zhvillimit të vazhdueshëm në futbollin gjerman”, tha ai për uefa.com.
“Akademitë dhe kampionati sigurojnë një edukim futbolli të shkëlqyer. Gjermania ka qenë në gjumë për shumë vite, por ata janë munduar në vitet e fundit që të ndërtojnë gjëra të reja vazhdimisht. Kjo po jep frytet e saj, jo vetëm duke prodhuar lojtarë të shkëlqyer, por gjithashtu disiplinë dhe taktikë të jashtëzakonshme. Në fund, një paketë e tillë të siguron një skuadër të madhe”, shpjegoi mesfushori arsyen se pse skuadrat gjermane janë kthyer përsëri të dominojnë në skenën e futbollit evropian. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 02 April 2013 10:28