Sami Khedira ka dhënë një intervistë për UEFA.com ku i ka thurur shumë elozhe Zhoze Murinjos, duke e cilësuar atë trajnerin më të mirë që ka pasur në karrierën e tij. Futbollisti gjerman ka vlerësuar sidomos raportin e trajnerit portugez me lojtarët, duke i ndihmuar ato të përmirësohen individualisht.
“Ai është trajneri më i mirë që kam pasur në karrierë dhe nuk më vjen në mendje asnjë më i mirë se ai, pasi ndihmon të gjithë lojtarët të përmirësohen. Gjithmonë kërkon të marrë më të mirën nga futbollistët, gjen pikën më të fortë te çdo futbollisti dhe e njëjta gjë ndodhi me mua. Mendoj se unë falë ndihmës së tij jam përmirësuar shumë taktikisht, që ishte edhe objektivi im”, shpjegoi mesfushori gjerman, i cili është kthyer në një nga pikat më të forta të Real Madrid në këto sezone.
“Kur erdhi thirrja nga Real Madrid dhe Murinjo, po prisja me padurim këtë sfidë. Unë kam qenë gjithmonë i ngutur dhe ai e hoqi këtë tipar nga loja ime, duke më bërë të përmirësohem. Tani luaj në mënyrë më të qetë dhe inteligjente”, tregoi Khedira se si është përmirësuar nën drejtimin e Murinjos në dy sezone e gjysmë. (LajmeShqip.com)
Friday, 05 April 2013 20:44