Seidu Keita ka zbuluar se ai nuk arriti të nënshkruante një marrëveshje të re me Barcelonën për shkak të taksave që aplikohen në Spanjë. Futbollisti nga Mali u transferua në kampionatin kinez me skuadrën e Dalian Aerbin, duke i dhënë fund eksperiencës së tij prej 4 sezonesh e gjysmë në radhët e skuadrës katalanase.
“Deri në fund, bashkë me Barcelonën u munduam të gjenim një marrëveshje, por nuk ishte e mundur. Ky ishte i gjithë thelbi, ishte thjesht çështje taksash që duheshin paguar”, konfirmoi ai për “L’Equipe”. “Kam kaluar një periudhë të shkëlqyer te Barcelona, më ka pëlqyer thjeshtësia e klubit dhe lojtarëve, diçka që nuk do ta harroj gjatë gjithë jetës.
Ndonëse ai ka nënshkruar një kontratë në Kinë nga e cila do të përfitojë shumë më tepër se sa ka marrë deri tani te katalanasit, Keita ka bërë të qartë se kjo nuk ishte arsyeja kryesore pse zgjodhi transferimin në Azi.
“Po, do të fitoj para në Kinë dhe kjo mund të jetë kontrata ime e fundit. Por ky nuk është qëllimi i vetëm. Kam zgjedhur një ekip fitues pasi unë vazhdoj të kem ambicie”, tha ai. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 10 July 2012 11:40