Barcelona ka bërë të ditur nëpërmjet faqes së vet të internetit se Seidu Keita ka vendosur që të largohet nga ky klub. Futbollisti nga Mali, kishte edhe dy vite të mbetura në kontratën e tij me katalanasit, por në të ishte përfshirë një klauzolë ku shkruhej se ai mund të largohej nga “Kamp Nou” nëse nuk aktivizohej në të paktën 50% të ndeshjeve të skuadrës në sezonin paraardhës.
Pritet që ai të nënshkruajë shumë shpejt një kontratë prej dy vitesh e gjysmë në Kinë me skuadrën Dalian Aerbin, një klub që kohët e fundit ka kërkuar edhe emra të tjerë të rëndësishëm si Didier Drogba dhe Amauri.
“Seidu Keita ka lajmëruar sot se nuk do të jetë pjesë e klubit në sezonin e ardhshëm. Barcelonë do të dëshironte ta falënderonte për rolin e tij në klub gjatë viteve të fundit dhe t’i uronte suksese të mëtejshme personale dhe profesionale në të ardhmen”, shkruhej në njoftimin për shtyp të publikuar në faqen e klubit në orët e vona të së shtunës.
Keita u transferua nga Sevilja te Barcelona në vitin 2008 në një marrëveshje që kapi shifrën e 14 milionë eurove, ndërsa ai shënoi 22 gola në 168 ndeshje me fanellën e katalanasve. Por gjatë sezonit të fundit ai luajti në vetëm 22 ndeshje zyrtare me katalanasit dhe kjo ishte arsyeja pse tani vendosi të largohet. (LajmeShqip.com)
Sunday, 08 July 2012 08:07