Iker Kazijas ka pranuar se mënyra se si ai është trajtuar nga Zhoze Murinjo, e ka bërë të qajë. Portieri i madrilenëve u gozhdua në stolin e rezervave në pjesën e dytë të sezonit pas vendimit të trajnerit portugez, i cili preferoi Diego Lopez para tij, duke e shprehur këtë pëlqim publikisht.
“Kam qarë, kam vuajtur, nuk kam qenë mirë. Kalova shumë net pa gjumë”, pranoi Kazijas në një intervistë të dhënë për FIFA.com. Duket se një situatë e tillë ka qenë duke shtyrë futbollistin drejt vendimit drastik për të braktisur përfundimisht klubin ku u rrit dhe u bë i famshëm, por në fund ishte Murinjo që ndërroi ekip.
“Unë jam një “madridista” në shpirt dhe mbi të gjitha, ajo që ka më shumë rëndësi për mua, është klubi. Unë do të dëshiroja shumë të mbyllja karrierën te Reali, por nuk do të krijoja kurrë probleme nëse trajneri nuk më dëshiron”, shpjegoi futbollisti spanjoll që me Spanjën është kthyer përsëri në fushën e lojës pas disa muajve në inaktivitet.
“Kam fituar përsëri lumturinë. Nuk ishte e lehtë, por tani jam një Iker Kazijas krejt tjetër. Pas pesë muajsh pushim, duhet pak kohë që gjërat të kthehen në vendin e vet, por kisha shokë të mrekullueshëm dhe një trajner po të tillë në kombëtare, gjë shumë e rëndësishme kur fillon gjithçka nga e para”. (LajmeShqip.com)
Thursday, 27 June 2013 11:47