Iker Kazijas vazhdon t’i shtojë rekorde karrierës së tij me arritje të jashtëzakonshme. Në fitoren e djeshme kundër Bjellorusisë, ai barazoi Santiago Kanizares me 9 ndeshje radhazi pa pësuar gol me ekipin kombëtar, ndërsa vendosi një rekord të ri në minutat e pathyeshmërisë.
Me këtë sukses, Kazijas tashmë ka një pathyeshmëri prej 725 minutash me kombëtaren, duke kaluar rekordin që e kishte vënë po vetë në vitin 2004 me 708 minuta. Rekordi botëror mbahet nga Dino Zof i Italisë, i cili ka 1143 minuta radhazi pa pësuar gol me kombëtaren, që do të thotë se Kazijas do të ketë ende shumë punë për ta arritur atë.
Njëkohësisht, Kazijas arriti të regjistronte 689 minuta pa pësuar gol në ndeshje zyrtare, përsëri duke thyer rekorde që i kishte vendosur po vetë. Në këtë kategori, rekordin botëror e mban holandezi Edvin Van Der Sar, i cili me përfaqësuesen e tij ka arritur të ruajë për 1014 minuta pathyeshmërinë e portës në ndeshje zyrtare.
Sikur të mos mjaftonin këto shifra, Kazijas është vetëm dy ndeshje larg barazimit të rekordit të Tomas Raveli si portieri me më shumë ndeshje në kombëtaret evropiane. Suedezi ka regjistruar 143 ndeshje me kombëtaren, ndërsa Kazijas tani ka 141 të tilla. (LajmeShqip.com)
Saturday, 13 October 2012 16:01