Një çështje e re mund të shpërthejë në Napoli, pasi sulmuesi Edinson Kavani ka paralajmëruar se “do të bëjë namin” nëse klubi nuk e lejon të marrë pjesë në Lojërat Olimpike Londër 2012 me kombëtaren e tij.
Prestigji i këtij aktivitet është aq i madh sa sulmuesi bën të qartë se do të zgjedhë kombëtaren që synon medaljen e artë para fazës përgatitore me Napolin, edhe pse kjo mund të penalizojë sezonin e tij.
“E kam thënë qartësisht që prioriteti im është të jem pjesë e kombëtares. Do të luftoj që të jem pjesë e kombëtares që do të shkojë në Londër 2012”, ka thënë sulmuesi në emisionin televiziv “A Fondo” që zhvillohet në Uruguai. “Gjithmonë nëse trajneri Tabarez ta vendosë një gjë të tillë”, ishin fjalët e tij.
Ky sinjal i Kavanit ka përfunduar thuajse në të gjitha gazeta uruguaiane, ku deklaratave i shtohen edhe kërcënime ndaj klubit italian.
“Nëse nuk shkoj me kombëtaren, fillimisht kthehem në Itali dhe bëj një rrëmujë të paparë. Pastaj shkoj gjithsesi në Olimpiadë”, ishin fjalët e tij.
Duket se para kësaj situate, Napoli është dorëzuar pa kushte, ndërsa ka bërë të ditur se nuk do të pengojë futbollistin nëse ky i fundit do të jetë mes të përzgjedhurve për Lojërat Olimpike.
Por kjo nuk do t’i pëlqejë shumë trajnerit Valter Maxarri i cili nuk e ka atë në dispozicion që në fillimin e fazës përgatitore dhe rrezikon që në pjesën e parë të sezonit të ketë jashtë forme lojtarin më të rëndësishëm të skuadrës. (LajmeShqip.com)
Thursday, 17 May 2012 14:50